Nga 2026, familjet me fëmijë nën 18 vjeç , kompensim për shpenzimet arsimore
Prindërit do të përfitojnë zbritje tatimore deri në 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën 18 vjeç dhe lehtësira për shpenzimet arsimore.
Zbritje tatimore për prindërit me fëmijë
Në vitin 2026 do të hyjë në fuqi për herë të parë një politikë e re fiskale që parashikon kompensim për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.
Njëri prej prindërve do të përfitojë një zbritje prej 48 mijë lekësh nga tatimi mbi pagën për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, e cila do të aplikohet gjatë plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave Personale (DIVA) me afat deri më 31 mars 2026. Sipas llogaritjeve në projektbuxhetin 2026, administrata tatimore do të kompensojë rreth 1.5 miliardë lekë në total për këtë masë.
Lehtësira për familjet me të ardhura të ulëta
Përveç zbritjes për fëmijët nën 18 vjeç, prindërit me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë do të mund të përfitojnë zbritje shtesë për shpenzimet arsimore deri në 100 mijë lekë në vit.
Kjo do të zbatohet përmes deklaratës DIVA dhe do të kërkojë paraqitjen e faturave për shpenzimet arsimore të fëmijëve. Në këtë mënyrë, familjet me paga më të ulëta, nën 100 mijë lekë në muaj, do të kenë mundësi të ulin barrën tatimore duke përfituar nga këto masa të reja lehtësuese.